Home » » Receta e 23-vjeçares: Punë, punë, punë!

Receta e 23-vjeçares: Punë, punë, punë!


-Mirëmbrëma, erdhët edhe sot? Ky është refreni që Diti e përdor çdo fundjavë. Është mikpritëse e një klubi nate. Pas dy vjetësh, në këtë punë ajo i njeh pothuajse të gjithë ata që e frekuentojnë këtë klub. Për ata që vijnë për herë të parë ftesa është e ngrohtë, njëlloj si edhe buzëqeshja e saj.

Në fakt, kjo ka filluar të jetë tendenca më e fundit në kryeqytetin shqiptar. Nëse do të pish kafen e mëngjesit në një bar, të shijosh një drekë, të jesh pjesë e ndonjë konference apo promovimi në Tiranë ose një mbrëmje me miqtë në klub, “mirëseardhjen” ta urojnë vajza të bukura. Në të shumtën e rasteve, ato qëndrojnë tek dera e barit, klubit, restorantit apo picerisë dhe të ftojnë që të hysh brenda. Edhe Diti është një prej tyre. Mirëpo, nëse kjo tendencë ka filluar të bëhet e pranishme kohët e fundit në Tiranë, Diti ka më shumë se dy vjet që bën mikpritësen. Ajo është një nga ato vajzat që me buzëqeshjen e saj ka thyer ato tabu të së shkuarës që ndonjëherë të vështirësojnë punën me paragjykime.

Një eksperiencë shumë e bukur për të është edhe organizimi i së enjtes në klubin ku ajo punon si hostess. Asaj nuk do t’i mjaftonte fakti që punonte gjithë natën si mikpritëse, gjatë fundjavës,  por do të pranonte që të ishte edhe kamerierja e së enjtes. “E enjtja është një ditë e bukur. Është një ditë vajzash në klubin tonë. Dhe ne jemi të parët që e konsumojmë këtë alternativë në Tiranë”, na thotë Diti. Ne i kërkojmë që ajo të na e shpjegojmë më qartë “natën e vajzave” dhe ajo na përgjigjet duke na ftuar ta vizitojmë në klubin e natës. “Çdo të enjte në klub shërbejnë vajzat, promovojnë vajzat (ka pije dhe oferta çdo të enjte), muzikën e mundëson një vajzë. Edhe koktejet i përgatisin vajzat. Muzika është për vajzat, ndaj edhe quhet e enjtja e vajzave”. Diti na tregon pa asnjë ndrojtje se propozimin për të qenë kameriere të enjteve e pranoi menjëherë dhe e lumtur. “Kjo do të ishte një eksperiencë e re, ndaj pranova menjëherë. Kisha pak frikë për marrëdhënien time me tabakanë, por pas shumë provash arrita ta bëja për vete”, thotë ajo dhe buzëqesh.

E sikur të mjaftonin këto dy punë, të enjten, të premten, të shtunën dhe të dielën në klubin e natës, “Shekulli” zbulon se Diti bën edhe një punë të tretë, atë të radiofolëses. Çdoditë në mëngjes, nga e hëna në të premten atë e gjen në radio. Realizon një emision për të rinj, ku trajtohen problematika që shoqërojnë rininë e sotme. Diti mendon se puna si mikpritëse ka bërë të mundur që të sillet kaq çlirët edhe në radio. Punën në radio e do aq shumë sa nuk e ka të vështirë të zgjohet nga një natë ku më shumë ka qenë zgjuar se sa në punë.

Ne e pyesim se sa të vështirë e ka të zgjohet në mëngjes, pas netëve energjike në klubin e natës. Përgjigjja e saj nuk të linte shteg që të komentoje më gjatë:  “Sepse gjithçka bëhet e lehtë kur dashuron punën që bën”.

Dhe edhe pse është studente me kohë të plotë, Diti Zaimi, jo si shumica e rinisë së sotme që harxhojnë rreth 3 orë çdo ditë nëpër kafene, punon tre punë të ndryshme. Ajo është në vitin e tretë të shkollës së lartë. Studimet amerikane dhe britanike, dega në të cilën ajo studion nuk duket se ka diçka të përbashkët me “profesionet” e saja. Madje, asnjë të përbashkët me pasionin e saj për fluturimet me vela. Në fakt, asnjë nga aktivitetet që ajo ndërmerr nuk i ngjan tjetërs, por kanë të përbashtë diçka: një vajzë çapkëne, të çlirët dhe me një buzëqeshje të ëmbël, një vajzë plot energji, Ditin.

Bio
Emri: Diti Zaimi
Datëlindja: 31.03.1990
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Studime amerikane dhe britanike, viti i fundit Bachelor
Profesioni: Radiofolëse dhe Mikpritëse

Ajo sapo ka hyrë në të 23-tat, por ka filluar të punojë që në moshën 20-vjeçare. Atëherë nuk ishte e zakonshme që vajzat të punoni si kameriere apo mikpritëse. Ishte një lloj “tabuje” e cila më së shumti nuk pritej mirë nga mentaliteti shqiptar. E megjithatë, Diti na rrëfen se puna është nder dhe përpiqet që të na tregojë se sado e vështirë që mund të jetë, ajo ia ka dalë të jetë e suksesshme në të tria punët që bën. Punon si kameriere çdo të enjte, një një klub nate në kryeqytet, punon si hostess gjatë fundjavës, në po të njëjtin klub dhe çdo ditë e gjeni në radio. Ajo realizon një emision mëngjesi dhe nuk i duket fare e vështirë të zgjohet për të shkuar në radio pas një nate pa gjumë në klubin e natës. Sepse gjithçka bëhet e lehtë kur dashuron punën që bën.

0 comments:

Post a Comment

Like us on Facebook
Follow us on Twitter
Recommend us on Google Plus
Subscribe me on RSS