Për shumë njerëz, mungesa e kompjuterit në ambientet e punës ose shtëpisë, do ta bënte jetën më të vështirë. Një njeri i rëndomtë kafenë e mëngjesit ka mundësi ta pijë duke shfletuar online gazeta, duke komunikuar me njerëz nga pjesë të ndryshme të botës, të shoh pjesë të qyteteve të ndryshme ose edhe të blejë diçka që i pëlqen. Informata e cila në kohë të hershme ka qarkulluar me mjaftë vështirësi, tani me një click gjendet para syve tanë. Programerët e kompanive të mëdha duke i pasur parasysh kërkesat e përdoruesve mundohen që pajisjen kompjuterike ta bëjnë sa më të mençur. Shembuj të softuerëve të ndryshëm tregojnë qartë punën e e tyre. Sot aftësi e një web faqeje për ta mbajtur sa më shumë pranë saj përdoruesin, duket të jetë njësia matëse e cilësisë së saj. Aplikacionet e mençura që i japin mundësi njeriut të komunikojë me këdo në botë, gjenerimi i pamjeve satelitore të vendeve që kemi ëndërruar t’i shohim, mundësia e komunikimit me makina të mençura (bots), qasja e mijëra informatave brenda disa sekondave, ruajtja e dokumenteve personale në distanca shumë të largëta (në serverë të ndryshëm), mundësia e blerjes së pajisjeve të ndryshme online, dëgjimi online i ligjëratave të profesorëve të njohur etj., etj., e kanë edukuar njeriun në atë mënyrë saqë ai prej kompjuterit të kërkojë edhe gjëra që tani për tani duken të paarritshme. Në intervista të ndryshme që kam pasur me njerëz kam marrë shumë përgjigje, mirëpo vlen të ceket njëra prej përgjigjeve që kam pranuar nga një person zyrtar i një kompanie. Në pyetjen se çka kishit dashur të ju ofroj një kompjuteri, ai u përgjigj “kisha dashur që kompjuteri të ma sjell dreken në tavolinë, të ma përgatis një raport mujor të punës ose thjeshtë unë t’i flasë e ai të veprojë”. Kjo përgjigje më së miri tregon se ku ka arritur “çmenduria njerëzore” në qasjen ndaj kompjuterit. Përgjigja tani për tani duket të jetë e çmendur mirëpo në një të ardhme të afërm kjo gjë ndoshta do të arrihet. Por një gjë është e qartë, një pajisje kompjuterike nuk do të mundë ta zëvendësonte njeriun.
Përdorimi i madh i kompjuterit nuk ka dal të jetë gjithmonë fatlumë për njeriun. Vitin e kaluar një përqindje e madhe e divorceve kanë ndodhur për shkak të lidhjeve online që kanë vendosur njëri nga bashkëshortët me personin e tretë. Gjithashtu ka pasur ankesa të mëdha nga shumë gra të martuara se bashkëshorti më shumë rëndësi i kushton kompjuterit se sa familjes, në këto raste shpesh është dëgjuar komenti “kisha dashur të më dojë sa kompjuterin”. Një prej rasteve më të rënda është edhe organizimi i grupeve të të rinjve në chat-e të ndryshme për kryerjen e vetëvrasjeve masive, e këtë më se shpeshti e ka përjetuar Japonia. Edhe përkundër këtyre gjërave jo të mira që kanë ndodhur, krahasime të shumta tregojnë se ndikimi i kompjuterit është më shumë pozitiv se sa negativ. Shkrimin do ta përmbyll me pyetjen e njërave prej anketave më interesante që është bërë shekullin e kaluar se cila është e arritura më e madhe e njerëzimit, zbulimi i kompjuterit apo arritja e njeriut në Hënë. Rezultatin e kësaj ankete nuk kam arritur ta dijë mirëpo vazhdimësia e kohës për mendimin tim tregon qartë se kompjuteri është përgjigjja e kësaj pyetjeje.
0 comments:
Post a Comment