Home » » Baloteli shpëton Milanin dhe Alegrin!

Baloteli shpëton Milanin dhe Alegrin!


Fitorja me Torinon ka “aromë” Champions, trajneri: “Nuk do të largohem”

Kuqezinjtë arrijnë të triumfojnë në një ditë të errët për ta, teksa janë mbajtur në lojë vetëm falë një Abiati në një formë të shkëlqyer. Portieri ruan në dy raste portën e paprekur, kur Barreto mund të kishte shënuar fare lehtë, në minutën e 16-të dhe 65-ën. Në fund, Alegri ka kryer ndërrimet e mundshme dhe, nga një aksion i lindur nga goditja e dënimit, Baloteli ka shfrytëzuar më së miri një asist nga ajri të Mekses, për t’i rikthyer buzëqeshjen tifozëve kuqezi. Në fakt po, një buzëqeshje, pasi mosrealizimi i objektivit të Champions-it është një hipotezë e pakonsiderueshme në “Via Turatti”. Goli i Balotelit i lejon kuqezinjve të “blindojnë” vendin e tretë nga sulmet e Fiorentinës dhe, duke nisur nga dje, të Romës.
SUPERBALO – Sigurisht që goli i tij, si të gjithë të tjerët që ai ka shënuar, ka qenë padyshim i rëndësishëm dhe me peshë. Madje, heqja e fanelës ka treguar më së miri se Baloteli e ka festuar më shumë se kurrë këtë arritje, duke qenë se tani vendi i tretë nuk rrezikohet më. Madje, heqja e fanelës ka sjellë edhe gjestin e Muntarit, që ka marrë kartonin e verdhë nga gjyqtari dhe ia ka thënë Balos se hoqi fanelën, çka ka krijuar ilaritet në fushë. Dhe, pas ndeshjes, shpëtuesi i Milanit, të gjitha fjalët e tij ia ka dedikuar trajnerit: “Kam ardhur këtu me të, ndihem shumë mirë me Alegrin, mendoj se ai do të qëndrojë. Më pëlqen shumë, do të bëja gjithçka për ta mbajtur”, ka nënvizuar SuperMario pas ndeshjes. Ndërsa përsa i përket golit të rëndësishëm, ai ka thënë: “Është një gol që peshon”, ndërsa shton edhe një frazë të rëndësishme: “Kur luajmë unë dhe Pacini, njëri nga ne të dy shënon gjithmonë. Por, nuk ia kemi thënë trajnerit këtë”.

REAGON ALEGRI – Ndërkohë, tashmë duket se është diçka e sigurtë. Falë golit të Marios, Alegri mund të buzëqeshë, pavarësisht tensionit të lidhur me të ardhmen e tij: “Nëse Mario vazhdon të bëjë kaq shumë gola, do të ishte një arsye e madhe për të më bërë të qëndroj. Gjithsesi, për të ardhmen time i kam idetë e qarta. Kam një vit kontratë, unë dua të qëndroj. Shpresoj të qëndroj”. Madje, tekniku e nënvizon: “Me Berluskonin kam një raport të mirë. Ndonjëherë ka ide të ndryshme, por nëse jam këtu prej tre vitesh, pak besim tek unë e ka edhe ai, apo jo? Tani jam i përqëndruar tek Champions League”, ka thënë Alegri.

GALIANI – Ndërkohë një reagim ka ardhur edhe nga Adriano Galiani, administratori i deleguar i Milanit, i cili ka thënë: “Unë do të bëj çmos që Alegrin ta kemi edhe pas kontratës. Të gjithë e duam atë trajner dhe unë në radhë të parë kam besimin maksimal tek ai. Edhe presidenti Berluskoni e ka këtë besim dhe e respekton jashtë mase teknikun. Ai është pjesë e familjes së Milanit”. Mesazhi duket se tashmë u mor.

0 comments:

Post a Comment

Like us on Facebook
Follow us on Twitter
Recommend us on Google Plus
Subscribe me on RSS